Kanë përfunduar shumica e ndeshjeve në çerekfinale të Kupës së Kosovës.
Prishtina e ka eliminuar Ballkanin nga gara e dytë më e madhe në futbollin kosovar, pasi triumfoi 2-0.
Fillimisht, skuadra nga Suhareka kaloi në epërsi në minutën e 10-të përmes Albion Rrahmanit, mirëpo dy minuta më vonë, pas një rishikimi në VAR, ajo u anulua për pozicion jashtë lojë.
Derisa po përfundonte pjesa e parë, Prishtina fitoi një penallti në minutën e 45+3-të, ndërsa në gol e shndërroi Kreshnik Uka.
Pjesa e dytë filloi edhe më mirë për kryeqytetasit, kur Leotrim Kryeziu asistoi te Genc Hamiti, që realizoi për 2-0.
Ndeshja spektakolare ishte edhe në Mitrovicë, kur Gjilani triumfoi 5-1, ndërsa Albert Dabiqaj ishte i jashtëzakonshëm.
Ai arriti t’i shënonte të gjitha golat e takimit (2’, 9’, 34’, 68’ dhe 88’). Edhe pse gjilanasit ishin me dhjetë lojtarë në fushë nga minuta e 50-të, Trepça ’89 ishte e pafuqishme të kthente gjërat në favor të tyre, duke u eliminuar kështu nga gara – ndërsa golin e vetëm për ta e shënoi Ardian Muja (20′).
Në gjysmëfinale ka kaluar edhe Vushtrria, që ia doli ta eliminonte Beharin me golin e realizuar nga Shpresim Zogu në minutën e 20-të.
Ndeshja mes Llapit dhe Malishevës ka shkuar në vazhdime, pasi koha e rregullt u mbyll me rezultat 2-2.
Për llapjanët shënuan Trimor Selimi (10’) dhe Kushtrim Shabani (68’), ndërsa për malishevasit realizuan Ilir Mustafa (25’) e Ronald Sobowale (43’). /Telegrafi/