Site icon Telegrafi

Kupa e Konfederatave, një garë plot yje

Fokusi fillon me Brazilin, që është nikoqir i garës, dhe sulmuesin e kësaj përfaqësueseje, Neymar. Nënshkrimi i fundit i Barcelonës sigurisht se do të joshë vëmendjen në garën e cila shihet si “nxehje” në prag të Botërorit që zhvillohet verën e ardhshme po ashtu në Brazil.

 

21-vjeçari nuk ka qenë aq i suksesshëm me Brazilin sa ishte me ish-skuadrën e tij, Santos, por mbetet shpresa më e madhe e vendit për titullin e Kupës Botërore të vitit të ardhshëm.

Në mesfushë, trajneri i Brazilit, Luiz Felipe Scolari, llogarit në mesfushorin e Chelseat, Oscar, dhe atë të Paris Saint-Germain, Lucas, të cilët me sukses kanë bërë adaptimin e tyre në futbollin evropian.

Në mbrojtje, Scolari ka në dispozicion një varg yjesh, si atë të Paris Saint-Germain, Thiago Silva, dhe të Chelseat, David Luiz, të dy në qendër të mbrojtjes, si dhe yllin e Barcelonës, Daniel Alves, dhe atë të Real Madridit, Marcelo, në të krahët e mbrojtjes.

Skuadra e Brazilit nuk është e vetmja e mbushur me futbollistë të klasit botëror. Kampioni në fuqi i Botës, Spanja, do të sjellë në garë yjet e Barcelonës si Andres Iniesta, Xavi Hernandez, Cesc Fabregas dhe David Villa.

Trajneri Vicente del Bosque po ashtu ka përfshirë në ekip një varg yjesh të Real Madridit, me në krye portierin dhe kapitenin e skuadrës, Iker Casillas

Mario Balotelli, lojtari më eksploziv i Italisë, po ashtu është një prej yjeve të garës që po josh vëmendje të madhe. Paraqitja e tij prej dy golave ndaj Gjermanisë në gjysmëfinale të garës evropiane vitin e kaluar, ishte mbrëmja e tij më e paharrueshme me ekipin kombëtar, dhe ai tash duket i ripërtërirë që nga transferimi te Milani në janar.

Pasi ka luajtur vetëm kohë pas kohe te Manchester City më herët, Balotelli shënoi 12 gola në 13 paraqitje me Milanin. Partneri i tij në fanellën Kuqezi, Stephan El Shaarawy, po ashtu rreshtohet në krah të tij në sulmin Azzur.

Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez, është njeriu kryesor për Uruguain, dhe ka nevojë të përdorë Kupën e Konfederatave, për të dëshmuar veten. Suarez, i cili ka një listë të gjatë të problemeve disiplinore, është suspenduar për 10 ndeshje në Ligën Premier, pasi kafshoi mbrojtësin e Chelseat, Branislav Ivanovic.

Suarez së fundi ka folur për dëshirën për t’u larguar nga Anglia, dhe po lakmon një transferim te Real Madridi.

Krahas Suarez, Uruguai po ashtu ka në radhët e veta një tjetër yll, sulmuesin e Napolit, Edinson Cavanin, i cili ishte golashënuesi më i mirë në Itali sezonin e kaluar. Skuadra amerikano-jugore po ashtu ka një sulmues ca të harruar në radhët e veta, Diego Forlan, i cili ishte lojtari më i mirë në Kupën Botërore 2010, dhe ka kaluar një sezon të mirë me ekipin brazilian Internacional.

Shtylla kryesore e kampionëve olimpik, Meksikës, është sulmuesi i Manchester United, Javier "Chicharito" Hernandez.

Edhe pse Hernandez ka humbur detyrën e tij të startuesit te United, ai megjithatë menaxhoi të shënojë 18 gola sezonin e kaluar. Ai ka 50 gola në tre sezone dhe ka shënuar 30 gola në 45 ndeshje me ekipin kombëtar.

Për Japoninë, fokusi do të shkojë në tre lojtarë: Shinji Kagawa, Keisuke Honda dhe Yuto Nagatomo. Kagawa përfundoi sezonin me gjashtë gola te Manchester United dhe do të duhet ta dëshmojë veten për trajnerin Alberto Zaccheroni. Nagatomo, në anën tjetër, ka qenë jashtë fushe që nga 14 prilli për shkak të një lëndimi te Interi, por ka arritur të rikuperohet dhe të bëjë një rikthim të suksesshëm. Honda, mesfushori i CSKA Moskës, ka shënuar 13 gola në 41 ndeshje për Japoninë që nga debutimi në vitin 2008.

Nigeria me gjasë do të udhëhiqet nga mesfushori Sunday Mba, i cili shënoi golin e vetëm në finalen e Kupës Afrikane të Kombeve, dhe mesfushorit i Chelseat, John Obi Mikel.

Skuadra më e panjohur në këtë garë, Tahiti, ka në radhët e veta lojtarë pak të njohur, si Marama Vahirua dhe katër anëtarët e familjes, Tehau, binjakët Alvin dhe Lorenzo, vëllai i tyre Jonathan dhe kushëriri Teaonui. /Telegrafi/

Kush mendoni se do ta fitojë garën e Kupës së Konfederatave? Shkruani në hapësirën për komente!

Exit mobile version