Prej janarit 2017, në Kinë do të zhvillohet një turne i aprovuar nga FIFA dhe i quajtur “China Cup”, ku do të marrin pjesë Kina dhe tre kombëtare të tjera, nga Evropa dhe Amerika.
Do të jetë një turne i përvitshëm, i organizuar nga grupi i fuqishëm kinez “Dalian Wanda Group”, që ka në plan ta rritë në 8 numrin e pjesëmarrësve, të cilët do të jenë të gjithë mes 20 kombëtareve më të mira në renditjen e FIFA-s.
President i grupit “Dalian Wanda Group”, Wang Jianlin, është njeriu më i pasur në Kinë, zotëron 20% të aksioneve tek Atletico Madridit dhe planifikon që këtë mini-Botëror për kombëtaret ta organizojë së shpejti edhe për klube, duke krijuar një alternativë për Ligën e Kampionëve.
Gjithçka ndodh me aprovimin e FIFA-s, por vetëm për një arsye: grupi Wanda është një ndër sponsorët më të rëndësishëm të FIFA-s prej muajit mars, duke u bërë partneri i parë i rëndësishëm që pas largimit të Sepp Blatterit.
Plani kinez natyrisht u prish shumë punë klubeve në Evropë, sepse do të thotë që në janar të ndalet gjithçka, por nuk ka gjë që nuk zgjidh paraja.