Telegrafi

Kumbulla pas finales: Ndjehem shumë i emocionuar për finalen në Tiranë, nuk kam fjalë ta përshkruaj

Roma triumfoi në finalen e Ligës së Konferencës ndaj Feyenoord me rezultatin 1-0.

Stadium “Air Albania” rezultoi fatsjellës për verdhekuqtë teksa pjesë e italianëve është edhe Marash Kumbulla.

Mbrojtësi i kombëtares, pas festës foli për Supersport ku theksoi se emocionet për të ishin të mëdha ndërsa shtoi se kërkon të marrë sërish trofe me Romën në sezonin e ardhshëm.

“Ndjehem shumë i emocionuar për finalen në Tiranë me Romën, në stadium ishim të gjithë së bashku. Nuk kam fjalë ta përshkruaj”.

Ai thotë se Mourinho ju ka dhënë besim për sezonin e ardhshëm dhe se suksese të tjera priten.

“Besoj se po, se kur fiton ke mentalitet fitues dhe shpresoj që në sezonin e ardhshëm të marrim një trofe tjetër” deklaroi ai.

Tutje mbrojtësi shqiptar shtoi se kjo ndeshje i dha emocione tjera edhe pse ka luajtur në Tiranë me Kombëtaren.

“Kisha, nuk mund të them frikë, por e ndjeja shumë ndeshjen. Kam luajtur me kombëtaren në këtë stadium, por edhe me Romën ishte shumë bukur dhe nuk kam fjalë për këtë ndeshje”, ka thënë Kumbulla pas finales.