Telegrafi

Kumbulla e quan të suksesshëm vitin e parë te Roma: Derbin duam ta fitojmë për tifozët

Marash Kumbulla ka bërë hapin e madh në karrierë duke iu bashkuar Romës në verën e vitit 2020.

Megjithatë mbrojtësi shqiptar ka pasur disa probleme si me lëndime ashtu edhe me virusin Covid-19 ku ishte i infektuar.

Gjithsesi lojtari tanimë ka kaluar këto probleme dhe ka filluar të luaj si titullar te Roma.

Kumbulla ka folur për mediat italiane pas ndeshjes me Interin, ku e ka vlerësuar si vit të suksesshëm aventurën te Roma.

“Do të dëshiroja të bëja edhe më shumë, por duke qenë se jam në një klub kaq të madh duket si një sezon pozitiv. Synojmë ta përfundojmë sa më mirë sezonin”, tha mbrojtësi shqiptar.

Tutje qendërmbrojtësi i Romës dhe Kombëtares së Shqipërisë ka folur edhe për ndeshjen derbi ndaj Lazios, ku dy skuadrat kryeqytetase takohen në fundjavë.

“E presim me padurim derbin. Mezi presim të zbresim në fushë pas ndeshjes së parë ku kemi gabuar. Duhet ta fitojmë për tifozët tani që do të na shohin nga shtëpia.”, përfundoi Kumbulla. /Telegrafi/