KB Peja ka pësuar humbje nga Kumanova në udhëtim me rezultat 80-76, duke rrezikuar kështu kualifikimin në Ligën Ballkanike.
Dueli filloi shumë më mirë për vendasit, të cilët dominuan çerekun e parë ku edhe krijuan epërsinë prej 10 pikësh.
Peja në fund të pjesës së parë ngushtoi epërsinë në vetëm shtatë pikë.
Lojë e balansuar u zhvillua në fraksionin e tretë, ku Peja kërkonte shpërthimin me shuterët në perimetër, teksa Kumanova dominonte trapezin me qendrën Mijatovic që ishte i pandalshëm.
Në fund, Peja nuk arriti asgjë më shumë se sa të afrohej në gjashtë pikë dhe në fund pësoi në këtë takim.
Më i miri i takimit ishte Mijatovic me double double prej 31 pikësh e 11 kërcimesh, teksa te Peja Alban Veseli shkëlqeu me 28 pikë dhe 6 kërcime teksa Veseli realizoi 5 treshe nga 12 tentime.
Me këtë fitore, Kumanova siguron pozitën e parë në grupin B të Ligës Ballkanike të fazës së dytë, e me këtë siguron edhe kualifikimin në gjysmëfinale të kësaj gare.
Pejës tash i ka mbetur vetëm edhe një rast, është përballja ndaj Teodos javën e ardhshme në Karagaç, ku duhet të stërmbushet salla për të ndihmuar ekipin të fitojë dhe të kualifikohet në gjysmëfinale nga vendi i dytë i grupit. Vetëm fitorja mban në garë pejanët. /Telegrafi/