Bashkimi mbrëmë pësoi edhe humbjen e dytë të këtij stinori në dy xhirot e para të Ligës Ballkanike.
Ekipi prizrenas nuk i bëri ballë dot deri në fund të ndeshjes Kumanovës, përkundër se u afruan shumë.
E trajneri i ekipit, Dragan Radovic, pas ndeshjes ka thënë se ekipi më i mirë fitoi dhe ka treguar çka duhet përmirësuar te skuadra e Bashkimit.
“Mendoj se ekipi më i mirë fitoi. Ne gjatë gjithë ndeshjes nuk e arritëm ritmin e lojës. Në disa pika në çerek të dytë dhe të katërt, luajtëm me energji dhe motivim, që do të duhej të ishte gjatë gjithë ndeshjes,” ka thënë malazezi.
“Ne duhet të stërvitemi ende ashtu që lojtarët të koordinohen edhe më mirë në lojë, pasi që jemi ekip i ri. Shpresoj që në ditët e ardhshme të përmirësojmë si mbrojtjen ashtu edhe sulmin,” ka thënë Radovic, pas disfatës së dytë radhazi në BIBL për skuadrën e tij.
Bashkimi në xhiron e parë ishte mposhtur nga Kozuvi, ndërsa mbrëmë u mposht si vendas nga Kumanova. Në xhiron që vjen portokallezinjtë udhëtojnë drejt Bullgarisë për tu ndeshur me Beroen.