Telegrafi

Kultivohet qepa që nuk nxit lotët

Duke larguar gjenin, i cili kuzhinierëve dhe kuzhiniereve në mbarë botën iu qet lotët nga sytë, shkencëtarët nga Instituti për hulumtime agrare i Zelandës së Re kanë zhvilluar një prototip të qepës i cili, sipas pritjeve të tyre, do të mund të gjendej në treg gjatë dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjetët e ardhshme.

Shkencëtarët kanë filluar programin e tyre në vitin 2002, pasi që shkencëtarët japonezë kanë zbuluar një gjen në qepë, i cili nxit lotët dhe kanë konstatuar se, “ndërprerësi” i lotëve është një lloj enzime.

“Kemi arritur të përcaktojmë mënyrën e futjes të ADN-së në qepë, që mund të çaktivizoj gjenin i cili nxit lotët”, ka zbuluar shkencëtari i Zelandës së Re i cili ka marrë pjesë në hulumtim, Colin Eady.

Zbulimin e paraqitur në simpoziumin e mbajtur në Holandë, e kanë përshëndetur shumë shkencëtarë të cilët kanë marrë pjesë në këtë tubim. Mirëpo, Colin Eady ka thënë se, përkundër padurueshmërisë të përfaqësuesve të industrisë bujqësore dhe asaj ushqimore në mbarë botën, produkti final në kuzhinat tonat dhe tuajat, do të duhet të presë edhe dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.