Site icon Telegrafi

Kukësi dhe Laçi i bashkohen Teutës, eliminohen nga Liga e Evropës

Kukësi kishte dhuruar një paraqitje mjaft të mirë një javë më parë në Hungari, përballë një rivali si Debreceni, por në fund pa të humbiste me rezultatin e thellë 3-0.

Sfida e mbrëmjes së sotme në “Elbasan Arena” ishte një “mision i pamundur” për verilindorët që gjithsesi tentuan të bëjnë befasinë dhe kaluan shpejt në avantazh me Et’hemin.

I njëjti futbollist pati një mundësi të artë të dyfishojë shifrat në fundin e pjesës së parë, por gaboi përballë portierit hungarez Nagy.

Në pjesën e dytë skuadra e Gjokës tentoi disa herë të gjejë golin që do të “ndizte” entuziazmin dhe shpresat për kualifikim, por në momentin më të mirë, pësoi një gol nga pakujdesia e portierit Frashëri, duke shndërruar në një mirazh, kalimin për në turin tjetër.

Sfida e mbrëmjes së sotme përfundoi në barazim 1-1, me hungarezët që vijojnë më tej falë rezultatit të përgjithshëm 4-1, ndërsa Kukësit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të fillojë punën për të përgatitur sezonin e ardhshëm të Superligës.

Përfaqësim dinjitoz dhe përtej pritshmërive bëri laçi përballë izraelitëve të Hapoel Be’er Shevas, një skuadër me mjaft eksperiencë në kupat evropiane dhe me një buxhet shumë të lartë në dispozicion.

Nën drejtimin e Sulejman Starovës, bardhezinjtë morën një barazim 1-1 në Kurbin javën e kaluar dhe luajtën shanset e tyre për kualifikim mbrëmjen e sotme në Be’er Sheva, ku humbën me rezultatin minimal 1-0 dhe mbetën jashtë kompeticionit.

Tashmë e vetmja skuadër nga Shqipëria që “do të mbajë flamurin” në Evropë, është Partizani kampion. Ata do të ndeshen me Sherif Tiraspolin. /SS/

Exit mobile version