Aastha Arora arriti në botë mes një buje të madhe.
Rreth orës 05:05 të 11 majit të vitit 2000 në spitalin Safdarjung të New Delhi, e porsalindura iu prezantua botës si “qytetari i një miliard” i Indisë.
Ministrat e qeverisë u fotografuan duke përqafuar foshnjën, të mbështjellë me një batanije të butë rozë, transmeton Telegrafi.
Lindja e Aasthas e shtyu Indinë në një klub ekskluziv ku u bashkua me Kinën, i vetmi vend tjetër me më shumë se një miliard njerëz.
Në një ngjarje të mbajtur për të festuar momentin historik, përfaqësuesi i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë në Indi, Micheal Vlassoff e përshkroi Aasthan si një foshnjë “shumë të veçantë dhe unike”.
Zyrtarët theksuan gjithashtu se lindja e saj ishte një thirrje zgjimi për të rimenduar mënyrat për të kontrolluar popullsinë në rritje të Indisë.
Por festimet për lindjen u bënë tituj botërorë dhe disa ditë gazetarë vërshuan shtëpinë e saj në Najafgarh, një koloni e shtresës së mesme të njerëzve në New Delhi.
Edhe BBC vizitoi shtëpinë e të sapolindurës për të parë personazhin më të ri të Indisë dhe për të folur me Anjana Arora, nënën e saj.
Më shumë se dy dekada më vonë, BBC e rivizitoi “fëmijën speciale” dhe ka marrë informacione se si po kalonte.
Vajza 22-vjeçare i tha korrespodentes së mediumit britanik, Geeta Pandey se nuk ndihej më e veçantë prej kohësh dhe pretendoi se shumë premtime të bëra gjatë lindjes së saj nuk u përmbushën nga politikanët.
Arsyeja e vetme pse ajo mund të intervistohej vetëm gjatë ditës së diele është sepse të vetmen ditë që e ka pushim është ajo ditë shkaku i ngarkesës në punë – ajo kohët e fundit filloi të punojë si infermiere në një spital privat.
“Doja të studioja shkencën dhe të bëhesha doktoreshë, por prindërit e mi nuk kishin mundësi të më dërgonin në një shkollë private, kështu që më duhej të bëja kompromis dhe të kryeja trajnime si infermiere”, thotë ajo.
Aastha tregon një dosje me copëza gazetash të mbledhura nga prindërit për jetën e saj – nga këto ajo mësoi për rrethanat e lindjes së saj dhe furinë që e shoqëronte atë.
Vëmendja vazhdoi për disa kohë pas lindjes së saj. Sipas një raporti, ajo u ftua për të inauguruar një faqe interneti, të krijuar bashkërisht nga ministria indiane e shëndetësisë dhe UNFPA, kur ajo ishte 11 muajshe.
Një javë pas ditëlindjes së parë, një ditë jashtë me familjen e saj në qytetin e Ajmerit u mbulua nga një botim lokal i cili shkruante se si ajo “i pëlqente të griste librat shkollorë dhe detyrat e shtëpisë së vëllait të saj pesëvjeçar”.
Aastha thotë se ajo vetë u bë e njohur për statusin e saj të veçantë kur filloi shkollën.
“Unë isha ndoshta katër ose pesë vjeç kur dëgjova për herë të parë fjalën foshnja e një miliard në ditën e popullsisë së OKB-së, kur një ekip kamerash zbarkoi në shkollën time”, thotë ajo. “Për një fëmijë ishte një gjë e madhe të dilte në TV dhe më pëlqeu vëmendja”, shtoi ajo.
Vëmendja mediatike u përkthye gjithashtu në një përfitim të prekshëm për të.
Babai i saj, i cili punonte si shitës në një dyqan, fitonte pak më shumë se 50 dollarë në muaj dhe kishte vështirësi për të paguar shkollimin e dy fëmijëve të tij.
“Çdo vit kur gazetarët më vizitonin për të më intervistuar, kjo nënkuptonte edhe publicitet falas për shkollën, kështu që ata hoqën dorë të më kërkonin para për shkollim”, thotë indiania.
Në shkollë, Aastha lulëzoi – ajo ishte e mirë në mësime, mori pjesë në debate dhe shfaqje vallëzimi gjersa u emërua udhëheqëse e këshillit të shkollës. Kur ajo ishte 16 vjeçare, shkolla i dha asaj çmimin “person i hijshëm”.
Por pavarësisht rezultateve të shkëlqyera, kriza financiare e familjes e detyroi atë të kalonte në një shkollë shtetërore.
“Isha shumë e pakënaqur në shkollën e re dhe kjo u shfaq në notat e mia”, thotë ajo, duke shtuar se ishte fundi i ëndrrës së saj të bëhej mjeke.
Edhe pse prindërit e saj ishin të varfër, nëna e saj thotë se për një kohë pas lindjes së Aasthas, çdo ëndërr dukej e realizueshme, transmeton Telegrafi.
Familja nuk ka dokumente për të mbështetur pretendimet e tyre, por ata thonë se Sumitra Mahajan – në atë kohë ministre për Gratë dhe Zhvillimin e Fëmijëve – i kishte premtuar vajzës së tyre “shkollim falas, kujdes shëndetësor falas dhe bileta falas të udhëtimit” kur ajo e vizitoi në spital.
Arora thotë se gjatë një vizite tjetër në shtëpinë e tyre disa muaj më vonë të deputetit të atëhershëm të zonës, Sahib Singh Verma, të atit së saj iu premtua një punë në qeveri.
Familja thotë se e vetmja ndihmë financiare që ata morën ishte e UNFPA, e cila krijoi një fond prej 200,000 rupee (2,425 euro), të cilin familja mund t’i përdorte për arsimin universitar të Aasthas pasi ajo të mbushte 18 vjeç. Fondi, i cili ishte rritur në 11400 euro , ndihmoi të paguante një pjesë të trajnimit të saj të infermierisë.
Verma vdiq në vitin 2007, gazetarja telefonoi Mahajan, e cila u tërhoq nga politika aktive në vitin 2019 pasi shërbeu si kryetare e parlamentit indian, për ta pyetur për pretendimet e familjes.
Mahajan tha se nuk i kujtohej se çfarë premtimesh i kishte bërë familjes përveç fondit të premtuar nga UNFPA.
“Unë e kisha vizituar familjen jo në cilësinë time personale, por si ministre”, tha ajo. “Unë nuk kam qenë ministre për shumë kohë pas kësaj, megjithëse isha në Delhi dhe isha aktive në politikë. Por familja nuk më kontaktoi kurrë. Nëse do të më kishin shkruar, do të kisha ndihmuar patjetër”, më tha ajo, duke shtuar se “Edhe sot, nëse ata shtrijnë dorën, unë do të përpiqem t’i ndihmoj”.
Festa për foshnjën e një miliard ishte menduar gjithashtu të ishte një kohë për reflektim të matur, për t’u dhënë një mesazh qytetarëve se kjo rritje e shpejtë e popullsisë ishte e paqëndrueshme, se shifrat në rritje do ta bënin të vështirë për qeverinë të ofrojë shërbimet bazë dhe të rrit standardet e jetesës.
Vitet e fundit, edhe Aastha ka peshuar mbi këtë temë – në forume publike ajo e ka përshkruar popullsinë e madhe të Indisë si “një problem”.
“India duhet të bëjë diçka për të kontrolluar popullsinë e saj”, tha ajo, duke shtuar se “është preferenca jonë kulturore për djemtë që na ka sjellë këtu”.
“Njerëzit vazhdojnë të kenë vajza derisa të kenë një djalë, sepse besojnë se një fëmijë mashkull do ta mbante gjallë mbiemrin e tyre”, shtoi indiania.
Qeveria, thotë ajo, duhet të punojë për të ndryshuar mentalitetin.
Në vitin 2000, kur lindi Aastha, parashikimet e qeverisë treguan se India mund të kapërcejë Kinën duke u bërë vendi më i populluar në botë deri në vitin 2045.
Në muajin korrik, OKB-ja tha se kjo do të ndodhë që në fillim të vitit të ardhshëm, me popullsinë e Indisë që të arrijë në 1.4 miliard banorë.
“Tashmë ka shumë konkurrencë për gjithçka, shumë njerëz që luftojnë për të njëjtat vende në shkolla, kolegje dhe për të njëjtat punë”, thotë Aastha.
“Unë isha foshnja e një miliard, së shpejti do të mund ta kemi fëmijën e dy miliardë”, shton ajo.
“Shpresoj që të mos e arrijmë kurrë atë moment historik”, përfundoi ajo. /Telegrafi/