Site icon Telegrafi

Kthehen reduktimet e rrymës, KEDS: Ka mbingarkesë të sistemit elektroenergjetik në vend

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka bërë të ditur se gjatë ditëve të fundit, sistemi elektroenergjetik i vendit është mbingarkuar tej mase.

Sipas KEDS-it, do të fillohet me kufizime të energjisë elektrike, të cilat pritet të janë rreth dy orë dhe do të prekin të gjithë konsumatorët në kohë të ndryshme.

“Gjatë ditëve të fundit, sistemi elektroenergjetik i vendit është mbingarkuar tej mase. Të njëjtën kohë, duke u ballafaquar me krizën më të rëndë elektroenergjetike botërore, Operatori i Tregut- KOSTT, duke u bazuar në ligjet në fuqi, ka udhëzuar që të fillohet me kufizime të energjisë elektrike. Këto kufizime do të jenë rreth dy orë dhe do të prekin të gjithë konsumatorët në kohë të ndryshme, përveç atyre emergjentë”, thuhet në njoftim.

Kjo situatë do të mbizotërojë gjatë 24 orëve të ardhshme, ku sipas KEDS-it, për ditët në vijim janë në pritje të instruksioneve nga KOSTT-i.

“Sistemi elektroenergjetik i vendit është afektuar tashmë komplet nga kriza botërore dhe pasojat e saj përballohen më lehtë, nëse secili nga ne jep kontributin e tij. Pra, që kriza të ketë ndikim sa më të vogël, KEDS apelon për kursim maksimal të energjisë elektrike dhe përdorim të formave alternative të ngrohjes, aty ku ka mundësi”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/

Exit mobile version