Ka startuar elita e futbollit zviceran me ndeshjet e pranverës.
Kësisoj mbarë ia kanë filluar edhe futbollistët shqiptarë që janë në numër të shumtë në këtë kampionat.
Ndeshja e parë ishte mes Luzernit dhe Lausannes, ku startuan Hekuran Kryeziu dhe Idriz Voca tek vendasit ndërsa Benjamin Kololli dhe Andi Zeqiri tek mysafirët.
Kryeziu ishte asistues i golit të dytë të skuadrës së tij të shënuar nga Schneuwly në minutën e 31-të.
Në pjesën e dytë për Luzernin u aktivizua edhe sulmuesi i talentuar Shkëlqim Demhasaj, ndërsa në bankë mbeti Dren Feka.
E golin e vetëm në humbjen 2-1 të Lausannes e shënoi reprezentuesi kosovar, Benjamin Kololli.
25-vjeçari shënoi një gol të bukur nga distanca për rezultatin përfundimtar 2-1.
Për Kolollin ky ishte goli i tetë në kampionat derisa ka bërë edhe tre asistime.
Pas kësaj fitore Luzerni zë pozitën e shtatë në tabelë me 23 pikë të tubuara dy pozita më poshtë se Lausanne. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=HS1capsyl4w