Site icon Telegrafi

Kryetari i Zveçanit përkujton njëvjetorin e rënies së heroit Afrim Bunjaku: Ishte simbol i guximit dhe sakrificës

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci sot ka përkujtuar njëvjetorin e rënies së heroit, Afrim Bunjaku natën e 24 shtatorit në Banjskë.

Peci përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se heroi Afrim Bunjaku ishte më shumë se një polic, siç tha ai “ai ishte simbol i guximit dhe sakrificës”.

“Sot jemi mbledhur këtu për të nderuar heroin Rreshterin Afrim Bunjaku, i cili na ka lënë para një viti, por kujtimi i tij vazhdon të jetojë mes nesh. Kjo ditë na gjen të shqetësuar, sepse humbja e tij është një dhimbje e thellë për familjen, shoqërinë dhe vendin tonë. Afrimi ishte më shumë se një Polic ,ai ishte simboli i guximit dhe sakrificës për lirinë tonë”, ka shkruar Peci.

Tutje ai ka thënë se Afrimi ishte gjithmonë në vijën e parë kur vendi ynë kishte nevojë për mbrojtje.

“Në momentet e vështira, kur vendi ynë kishte nevojë për mbrojtje, Afrimi ishte gjithmonë në vijën e parë. Ai nuk u tremb kurrë përballë sfidave, duke treguar një përkushtim të palëkundur ndaj tij dhe idealit të tij për një Kosovë të lirë.

Dhimbja që ndiejmë sot është e thellë. Një vit pa të, por praninë e tij e ndiejmë në çdo kënd të këtij vendi.

Të nderojmë emrin e Afrim Bunjakut jo vetëm me fjalë, por me veprime. Le të përpiqemi të jemi qytetarë të denjë, ashtu siç do të donte ai”, ka shkruar ndër të tjera kryetari Peci. /Telegrafi/

Exit mobile version