Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka marrë pjesë në ceremoninë tradicionale të Lutjeve të Mëngjesit, organizuar nga Kongresi amerikan në Washington, D.C.
Pjesëmarrja e tij në këtë ngjarje në ShBA, e cila mbledh liderë politikë, diplomatë dhe personalitete të njohura nga e gjithë bota, është realizuar me ftesë të kongresistëve amerikanë, Ben Cline dhe Tom Souzzi.
“Përveç pjesëmarrjes së shumë personaliteteve të njohura nga e tërë bota, madhështinë e ceremonisë e ngriti edhe pjesëmarrja dhe fjalimi i Presidentit të SHBA-ve, z. Donald J. Trump”, ka shkruar Totaj, raporton Telegrafi.
Në të njëjtën kohë Totaj ka vlerësuar nevojën për forcimin e partneritetit të Kosovës me SHBA-në.
“Zoti e bekoftë partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Totaj.
Në ceremoninë tradicionale të Lutjeve të Mëngjesit ka marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e cila ka mbajtur një fjalim para mijëra pjesëmarrësve. /Telegrafi/