Telegrafi

Kryetari Totaj kundërshton pretendimet e ministrit Çeku, kallëzimin penal e cilëson si veprim për konsum elektoral

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, të hënën, ka kundërshtuar pretendimet e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrulla Çeku lidhur me rastin e rrënimit të ndërtesave në kuadër të kompleksit “Saraji i vjetër” në Prizren, aset ky i mbrojtur i trashëgimisë kulturore.

Totaj ka pohuar se vendimet e Komunës lidhur me këtë çështje kanë qenë të bazuara në ligj përkatësisht në vendimet e shkallës së dytë administrative dhe të gjyqësorit, raporton Telegrafi.

Madje paraqitjen e ministrit e kallëzimin penal të ushtruar ndaj tij i ka cilësuar si veprime për konsum elektoral.

“Rrjedhimisht të gjitha që janë thënë në konferencën për media të ministrit Çeku dhe kallëzimi penal ndaj meje edhe pse nuk kam qenë i ndërlidhur me atë rast tregon se këto veprime janë bërë për konsum elektoral, meqë tashmë edhe dihet data e zgjedhjeve dhe mendoj se është një qasje tepër jokorrekte”, ka thënë Totaj, gjatë konferencës për media.

Paraprakisht ai ka shprehur qëndrimin se rasti në fjalë ka një histori dhe nuk ka ndodhur ad hoc.

“Kërkesa e parë për ndërtim është bërë në vitin 2018, kur kryetar ka qenë Mytaher Haskuka. Asokohe Komuna e ka refuzuar lejen për ndërtim. Investitori është ankuar në MMPH dhe është aprovuar kërkesa e tij. Komuna e ka kontestuar atë, ka shkuar në gjykatë. Mirëpo pas disa veprimeve të kësaj natyre më në fund është konfirmuar edhe nga gjykata. Pra Komunës i ka ardhur dokumenti se Komuna është e obliguar të zbatojë vendimin e MMPH dhe ta pajisë investitorin me leje”, ka deklaruar Totaj.

Sipas tij, pas këtyre zhvillimeve, kanë qenë organet vartëse të MKRS-së që nuk i kanë kryer detyrat e tyre me kohë, meqë kërkesa që është adresuar nga Drejtoria e Urbanizmit për pëlqim, nuk është trajtuar brenda afateve ligjore nga autoritetet e trashëgimisë kulturore.

“Edhe sipas nenit 32, paragrafi 5, të Ligjit të procedurës administrative mos përgjigja brenda afatit ligjor nënkupton pëlqim. Prandaj Komuna ka vazhduar me procedurat e dhënies së lejes”, ka thënë Totaj.

Ai ka shtuar se derisa Komuna ka iniciuar procedurat lidhur me lejen ndërtimore, “MKRS çuditërisht ka tentuar që lokacionin ta vendosë në mbrojtje ligjore si aset i trashëgimisë kulturore”.

“Ky tentim ka qenë i kundërligjshëm, sepse ka filluar të ndodh gjatë procedurës së dhënies së lejes. Po ashtu nuk lejohet vendosja nën mbrojtje e asnjë objekti pa e bërë valorizimin dhe pa e njoftuar Komunën. Ne nuk kemi pasur asnjë njoftim se një gjë e tillë ka ndodh. Në librat kadastralë, as në nivel qendror e as në nivel lokal nuk është e regjistruar si zonë e mbrojtur apo aset i trashëgimisë kulturore”, ka deklaruar Totaj.

Ai ka shtuar se MKRS-ja nuk ka iniciuar asnjë kërkesë në gjykatë për anulim të lejes e as për masë të përkohshme, raporton Telegrafi.

Në të njëjtën kohë ka bërë thirrje që “dështimet e MKRS-së për ti kryer detyrat e saj, nuk duhet të tentohen ti vishen as Komunës, as MMPH-së”.

Krahas kësaj ka kërkuar sqarime publike nga ministri i MKRS-së se cila zyrtare e këtij dikasteri është pezulluar nga puna dhe çfarë shkeljesh ka bërë.

Ministri Hajrulla Çeku, të mërkurën e shkuar, gjatë paraqitjes para mediave pat bërë të ditur se lidhur me këtë çështje është dorëzuar kallëzimi penal ndaj zyrtarëve komunalë të Prizrenit, të MMPHI-së, dhe investitorit.

Sipas tij kompleksi “Saraji i vjetër” kishte hyrë në listën e mbrojtjes së përhershme dy muaj para se të rrënohej, raporton Telegrafi.

“U rrënua me datën 27 maj 2024, nga pronari privat me qëllim të ndërtimeve për banim kolektiv, ndërsa kjo u bë e mundur nga Komuna e Prizrenit dhe persona tjerë të lartcekur, të cilët konsiderojmë se kanë bërë shkelje flagrante të Ligjit për trashëgiminë kulturore, kanë vepruar pa autorizime ligjore, duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare. Kurse mosveprimi apo aprovimi i heshtur për shkeljen kushtetuese dhe të ligjeve në fuqi nga drejtoresha e Departamentit Ligjor të MMPHI-së përbën po ashtu vepër penale në vete sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, pat deklaruar Çeku.

Tutje ai pat shprehur qëndrimin se lejet e lëshuara nga Komuna e Prizrenit kanë mundësuar rrënimin e asetit të trashëgimisë kulturore, raporton Telegrafi.

Çeku pat theksuar se në asetet e trashëgimisë kulturore sipas legjislacionit në fuqi lejohen vetëm ndërhyrje restauruese dhe konservuese në përputhje me kushtet ligjore dhe me procedurat administrative.

Pretendimet e Çekut i pat kundërshtuar edhe drejtori i DUPH-së, Pranverim Berisha, i cili pat thënë se konferencën e ministrit e sheh si presion në organet e drejtësisë dhe si pjesë të lojërave elektorale në prag të fushatës për zgjedhjet parlamentare. /Telegrafi/