Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, së bashku me zyrtarët komunalë dhe me përfaqësuesit e bashkësive fetare, kanë vizituar lokacionin e varrezave të reja në Landovicë.
Sipas njoftimit të Komunës, vizita është realizuar në kuadër të një takimi të organizuar nga misioni i OSBE-së në Kosovë.
Lokacioni i varrezave të reja përfshin një sipërfaqe prej 57 hektarësh dhe pritet të funksionalizohet vitin e ardhshëm.
“Me krijimin e kushteve të denja, kjo hapësirë do t’i shërbejë të gjithë qytetarëve të Prizrenit”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Muaj më parë, kryetari Totaj pat bërë të ditur se prona prej 57 hektarësh, e destinuar për varrezat e qytetit në Landovicë është bartur në emër të komunës, raporton Telegrafi.
Ai pat shprehur qëndrimin se në këtë mënyrë janë krijuar mundësitë për zgjidhjen e një problemi që ka brengosur qytetarët prej shumë vitesh, pasi sipas tij varrezat e vjetra të qytetit nuk kanë hapësirë të mjaftueshme.
Komuna e Prizrenit para më shumë se një dekade pati hartuar projektin ambicioz për bartjen e varrezave të qytetit në Landovicë, si rrjedhojë e kërkesave të shumta të komunitetit. Me këtë projekt synohej që çështja e varrezave të zgjidhet së paku për pesë dekadat e ardhshme. /Telegrafi/