Telegrafi

Kryetari i Preshevës akuzon Sinanin se ka keqpërdoruar donacionin e Qeverisë së Kosovës

Kryetari i Preshëvës, Shqiprim Arifi ka akuzuar paraardhësen e tij se ka keqpërdorur donacionet e qeverisë së Kosovës.

Arifi përrmes një shënimi në Facebook, ka thënë se Sinani me paratë e donacionit të ish-kryeministrit Haradinaj për Parkun e Paqes në Preshevë, ka paguar pllaka trotuari për një kompani lokale.

“Ish-pushteti lokal në Preshevë, Ardita Sinani ka keqpërdorur donacionin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht dhuratën e ish-kryeministrit Haradinaj për Parkun e Paqes në Preshevë.

Në punimet e seancës së radhës në Kuvendin Komunal, tek pika e Rebalansit të Buxhetit të Komunës së Preshevës, kam hasur një keqpërdorim të rëndë nga ish-pushteti lokal i Ardita Sinanit (PVDSH), të donacionit nga Republika e Kosovës, gjegjësisht ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, për ndërtimin e Parkut të Paqes në Komunën e Preshevës si dhuratë për Komunën e Preshevës nga vëllezërit dhe motrat tona – taksapagues të Republikës së Kosovës”.

“Me indinjatë të thellë ndajë me ju, dokumentin ku Ardita Sinani me mjetet e këtij donacioni nga ish-qeveria Haradinaj, ka paguar pllaka trotuari për kompaninë lokale, sponzor i ish-qeverisjes së pazareve”.

Arifi ka premtuar se donacioni i Qeverisë së Kosovës do të shkojë në investimin e destinuar.

“I siguroj të gjithë qytetarët e Komunës së Preshevës si dhe qeverinë e Republikës së Kosovës që do të zgjidhim këtë keqpërdorim të theksuar nga ish-pushteti lokal për të vazhduar edhe më tej punimet e projektit të parkut, me donacionin nga Republika e Kosovës”, ka deklaruar Arifi.

Që nga shkarkimi i Sinanit dhe zgjedhjes së Arifit në krye të Komunës së Preshevës, ka pasur përplasje të forta mes dy kampeve./Telegrafi/