Site icon Telegrafi

Kryetari i Pejës ndalon përdorimin e doracakëve “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues i Shëndoshë dhe i Sigurt”

Foto: Arkiv

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të doracakëve “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues i Shëndoshë dhe i Sigurt” në të gjitha shkollat e kësaj komune.

Përmes një postimi në Facebook, Muhaxheri ka theksuar se ky vendim është marrë me qëllim të garantimit të mirëqenies dhe zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve.

Vendimi/ Foto nga Gazmend Muhaxheri, facebook

“Me qëllim të garantimit të mirëqenies dhe zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve tanë, kam marrë VENDIM për ndalimin e përdorimit të Doracakëve ‘Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues i Shëndoshë dhe i Sigurt’, të miratuar nga MASHT-i, në të gjitha nivelet arsimore në Komunën e Pejës”, ka shkruar kryetari Muhaxheri.

Sipas Muhaxherit procesi mësimor do të bazohet vetëm në tekstet zyrtare, deri në rishikimin e këtyre materialeve nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), duke respektuar shqetësimet e prindërve dhe duke mbrojtur vlerat edukative të fëmijëve.

Ky doracak është kundërshtuar edhe nga shumë komuna të tjera të Kosovës, mes tyre edhe Prishtina, e cila ka refuzuar implementimin e tij në shkollat e kryeqytetit. /Telegrafi/

Exit mobile version