Në përvjetorin e 536-të të Horës së Arbëreshëve, komuniteti arbëresh në Sicili u nderua me një dhuratë të veçantë nga komuna e Pejës me shtatoren madhështore të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Ky monument i çmuar, një kryevepër në bronz e realizuar nga artisti i njohur Gëzim Muriqi nga Peja, u vendos në qendrën e Horës së Arbëreshëve, duke përfaqësuar një simbol të fuqishëm të lidhjeve të ngushta mes shqiptarëve dhe trashëgimisë së tyre të pasur në Itali.
Kjo dhuratë, e mundësuar nga përpjekjet e Kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka shprehur mirënjohje për për komunitetin arbëresh, i cili ka ruajtur me krenari identitetin e tij ndër shekuj.
“Shtatorja e Skënderbeut në Horën e Arbëreshëve është një kujtesë e përhershme e rrënjëve tona të përbashkëta dhe e krenarisë që ndjejmë për trashëgiminë tone”, ka shkruar ndër të tjera Muhaxheri, transmeton Telegrafi.
Kjo ngjarje e veçantë jo vetëm që përjetëson një nga figurat më të rëndësishme të historisë sonë, por edhe forcon lidhjet kulturore mes dy komuniteteve. /Telegrafi/