Peja ka nisur punimet për ndërtimin e pjesës së mbetur të sheshit “Skënderbeu,” një projekt që synon të përmirësojë infrastrukturën dhe cilësinë e jetës në qytet.
Sipas kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, sheshi i ri do të jetë vazhdimësi e sheshit ekzistues dhe do të jetë i pajisur me elemente si kalldrëmi dhe guri natyral, gjelbërim, ndriçim të ri, dhe një shëtitore të zgjeruar përgjatë lumit.
Në një postim në Facebook, Muhaxheri ka theksuar rëndësinë e këtij projekti për qytetin dhe përfitimet që do të sjellë për komunitetin, duke e shoqëruar edhe me fotografi se si do të duket ky shesh pas punimeve.
“Sheshi i ri do të jetë vazhdimësi e sheshit ekzistues nga Hotel Korza deri tek Ura e Zallit, ku do të ketë punime nga kalldrëmi dhe guri natyral, me gjelbërim, ndriçim të ri si dhe do të vazhdohet shëtitorja buzë lumit”, ka shkruar Muhaxheri.
Projekti pritet të krijojë një hapësirë tërheqëse dhe funksionale për banorët dhe vizitorët, duke kontribuar gjithashtu në zhvillimin urban dhe turistik të Pejës.