Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka denoncuar përpjekjet e rivalëve politikë për të bllokuar përfundimin e projektit të ujësjellësit që synon të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me ujë për 18 fshatra, të cilët numërojnë rreth 20 mijë banorë.
Në një postim në Facebook, Muhaxheri ka theksuar se rivalët politikë po bëjnë presion të paprecedent mbi prokurorinë, me qëllim pengimin e përfundimit të projektit të ujësjellësit për 18 fshatrat tuaja.
Sipas tij, ndërhyrjet politike për të ndalur këtë investim thelbësor janë të papranueshme dhe shkelin të drejtat e banorëve për qasje në ujë të pijshëm.
“Dëshiroj t’ju informoj se eksponentë të partive politike rivale po bëjnë presion të paprecedent mbi prokurorinë, me qëllim pengimin e përfundimit të projektit të ujësjellësit për 18 fshatrat tuaja, me rreth 20 mijë banorë. Ky projekt është jetik për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe për zhvillimin e vazhdueshëm të zonës në të cilën jetoni ju. Ndërhyrjet politike, të cilat synojnë të pengojnë finalizimin e këtij investimi, janë të papranueshme dhe shkelin të drejtat tuaja themelore për qasje në ujë të pijshëm”, ka shkruar Muhaxheri transmeton Telegrafi.
Ai gjithashtu garantoi mbështetjen e plotë të Komunës së Pejës për përfundimin e projektit.
“Do të vazhdojmë të angazhohemi për t’i dhënë fund këtij pengimi të padrejtë dhe do të garantojmë furnizimin e qëndrueshëm me ujë, ashtu siç e meritoni, ka thënë ndër të tjera Kryetari Muhaxheri.
Në përfundim, Muhaxheri ka bërë thirrje për mbështetjen e banorëve në përballimin e kësaj sfide, duke theksuar se Komuna e Pejës është e vendosur të çojë përpara projektin pavarësisht pengesave.
Ai ka shprehur besimin se përpjekjet e përbashkëta të qytetarëve dhe institucioneve lokale do të mundësojnë sigurimin e ujit të pijshëm dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në këto fshatra, duke përmbushur kështu një nevojë jetike për të gjithë komunitetin.