Site icon Telegrafi

Kryetari i Gjilanit premton 40 mijë euro për “Handikosin” dhe Shoqatën e të Verbërve

Tash e një kohë Shoqata “Handikos” dhe Shoqata e të Verbërve në Gjilan kanë ndërprerë shërbimet për personat me aftësi të kufizuara, për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Por, së shpejti pritet të tejkalohet kjo situatë, pasi që Komuna ka premtuar mbështetje financiare.

Kryetari i Shoqatës “Handikos”, Fatmir Shurdhani, ka thënë për Telegrafin se para disa ditësh është takuar me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, dhe se i njëjti iu ka premtuar mbështetje financiare.

Gjatë këtij takimi, kryetari Hyseni ka thënë se me ndarjen e buxhetit do të ndahen 40 mijë euro për këto dy shoqata.

“Gjërat kanë lëvizur pak, por ajo kryesorja që duhet të jetë nuk është. Ne jemi takuar me kryetarin e komunës, mirëpo ai nuk e respekton vendimin e Kuvendit Komunal, por që ka thënë mbështetjen do ta keni. Me rishikim të buxhetit do t’i ndajmë 40 mijë euro, një pjesë për ‘Handikosin’ dhe atë të verbërve”, tha Hyseni.

Ndryshe, në protestën e fundit të mbajtur nga “Handikos”, kryetari Shurdhani, pati thënë se kanë ndjekur të gjitha rrugët ligjore dhe demokratike në mënyrë që të mos ndërpriten shërbimet ndaj kësaj kategorie.

Telegrafi ka provuar të kontaktoj edhe me Komunën e Gjilanit, por që të njëjtit deri në publikimin e këtij lajmi, nuk janë përgjigjur./Telegrafi/

Exit mobile version