Telegrafi

Kryetari i FFK-së Vokrri viziton Vëllaznimin

Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri është pritur në Gjakovë, në zyrat e administratës së FC Vëllaznimi, nga kryetari Shkëlzen Gashi dhe kryesia e skuadrës kuqezi.

Duke folur për riorganizimin e FC Vëllaznimi, kryetari Shkëlzen Gashi tha se tashmë është krijuar një bazë e mirë duke pretenduar një të ardhme dhe fizionomi evropiane të klubit 89 vjeçar.

Gashi ka falënderuar Vokrrin për kohën e rezervuar që të vizitojë ambientet e FC Vëllaznimi.

Në anën tjetër, kreu i FFK-së Fadil Vokrri, ka përgëzuar Gashin dhe stafin e tij për frymën e re të sjellur në Vëllaznim, duke theksuar se klubet e forta e bëjnë të fortë edhe Federatën e Futbollit.

Vokrri më tej ka shtuar se në prag të pranimit të FFK-së në UEFA e FIFA, është shumë e rëndësishme të ndiqet shembulli i Vëllaznimit sesi duhet të organizohet një klub me pretendime evropiane.

Vokrrit i është dhuruar një fanellë e re e FC Vëllaznimi, derisa ai ka vënë autogramin e tij në pjesën e veçantë të dedikuar për mysafirët e FC Vëllaznimi.