Kryetari i Federatës së futbollit të Bullgarisë, Borislav Mihaylov, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij pas abuzimeve të mbrëmshme raciste të tifozëve bullgarë në ndeshje me Anglinë.
Ka qenë kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, që ka kërkuar dorëheqjen e tij shkaku i ngjarjeve në stadium dhe abuzimeve raciste drejt lojtarëve anglezë në humbjen 6-0.
Madje disa fansa gjatë ndeshjes kanë pasur edhe përshëndetje naziste dhe imitim zërash të majmunëve.
Kryeministri Borissov shkroi në rrjetet sociale, kur e kërkoi largimin e kryetarit të federatës.
“I bëj thirrje Borislav Mihaylov që menjëherë të largohet nga pozita e presidentit të Unionit Bullgar të Futbollit!”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Me një deklaratë të BFU (Federata e futbollit bullgar) thuhet se Mihaylov është i shqetësuar për tensionet, por nuk përmendet racizmi në deklaratën e tij.
Në Vasil Levski Stadium, ku Bulgaria i zhvillon ndeshjet, ka pasur sanksione edhe për ndeshjen me Kosovën dhe Republikën e Çekisë.
Mihaylov, ish portier i Reading, ka luajtur në tri Kampionate Botërore, ndërsa ka qenë edhe anëtar i Komitetit të UEFA-s. /Telegrafi/