Telegrafi

Kryetari i degës së LDK-së në Prizren kërkon intervenime nga ajri për zjarret në Prevallë

Kryetari i degës së LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj ka reaguar për zjarret në Prevallë, duke theksuar se nevojitet intervenimi nga ajri dhe se kjo mundësi duhet të kërkohet nga KFOR-i dhe shtetet mike.

Sipas tij, Prevalla duhet të jetë alarm për të gjithë, pushtetin qendror, lokal dhe të gjitha institucionet tjera, pasi nuk është thjesht një mal apo një fushë, por një pasuri kombëtare e cila pret shumë të sëmurë dhe turistë, raporton Telegrafi.

“Alarmi duhet të jetë më i madh, kjo çështje nuk duhet të kalojë me kaq neglizhencë dhe flakët të lihen në mëshirën e fatit. Bizneset dhe banorët atje janë në panik serioze . Përballja e zjarrfikësve me ato mjete që kanë nuk është e mjaftueshme. Duhet intervenime nga ajri, dhe atë mundësi duhet ta kërkojnë nga KFOR-i dhe nga shtetet mike”, ka shkruar Selmanaj në rrjete sociale.

Në të njëjtën kohë deputeti Selmanaj ka shprehur qëndrimin se qëndron krah zjarrfikësve, të cilët sipas tij meritojnë përkrahje maksimale dhe mirënjohje.

Gjatë ditës, Ministria e Punëve të Brendshme respektivisht Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka njoftuar se aktualisht nuk ka rrezik për jetën dhe pasurinë e banorëve në Prevallë.

Sipas njoftimit bëhet e ditur se për shuarjen e zjarreve janë të angazhuar zjarrfikësit nga Prizreni, Gjakova, Prishtina dhe Ferizaj, raporton Telegrafi.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj pas takimit me Shtabin emergjent për shuarjen e zjarreve në Prevallë ka bërë të ditur se është njoftuar se situata në këtë zonë është nën kontroll. Sipas tij, gjatë ditës pritet intervenimi për lokalizimin e zjarreve.

“Çfarëdo informacioni tjetër, nga kushdo që vjen, mund të jetë spekulim dhe si i tillë është pak i besueshëm”, është shprehur Totaj të martën.

Zjarret në zonën e Prevallës janë aktive tash e disa ditë dhe institucionet kanë kërkuar edhe ndihmën e KFOR-it për intervenim nga ajri për shkak të terrenit të papërshtatshëm. /Telegrafi/