Drejtues të Komunës së Lipjanit gjatë së mërkurës janë takuar me përfaqësuesit e SHFMU “Rexhep Akllapi” për suksesin të cilin e kanë arritur nga klubi i vullnetarëve “Yjet”, i cili fitoi vendin e parë në edicionin e pestë të çmimit rajonal të vullnetarizmit edukativ, të organizuar në Sllovaki.
Gjatë takimit, në komunën e Lipjanit Kryetari Ahmeti shprehu mirënjohjen e tij për arritjen e suksesit dhe vlerësoi nxënësit dhe arsimtarët që kontribuuan në këtë rezultat të rëndësishëm.
Kryetari Ahmeti, në shenjë mbështetjeje për suksesin e arritur nga Klubi i vullnetarëve “Yjet”, ka ndarë një shpërblim prej 1000 euro për ekipin fitues.
“Ky sukses është një shembull i shkëlqyer i punës së përkushtuar dhe vlerave të larta të vullnetarizmit, që reflektojnë jo vetëm krenari për Lipjanin, por edhe për gjithë Kosovën”, ka thënë Ahmeti, përcjellë zyra për informim në këtë komunë.
Sipas Komunës, klubi i vullnetarëve “Yjet” u shpall fitues në kategorinë e Edukimit Jo-formal për projektin e tyre inovativ “Një herë një hero, gjithë jetën hero”, projekti i zhvilluar në bashkëpunim me Kryqin e Kuq, përfshinte trajnime për ofrimin e ndihmës së parë, ku Super Vullnetarët ndanë njohuritë e tyre me mbi 200 nxënës, prindër dhe mësues në komunitetin e tyre, duke rritur kështu ndërgjegjësimin dhe përgatitjen për situata emergjente. /Telegrafi/