Telegrafi

Kryeqyteti i Koresë së Veriut mbyllet për shkak të një sëmundje të panjohur respiratore, banorët urdhërohen të matin disa herë temperaturën

Autoritetet në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Pyongyang, urdhëruan një bllokim pesëditor për shkak të rritjes së rasteve të një sëmundjeje të papërcaktuar respiratorë, raporton NK News me seli në Seul.

Njoftimi nuk përmendte COVID-19, por tha se banorët e qytetit duhet të qëndrojnë në shtëpitë e tyre deri të dielën, dhe t’i nënshtrohen kontrolleve të temperaturës disa herë në ditë, transmeton Telegrafi.

Të martën, u raportua se banorët e Pyongyangut po grumbullonin mallra, në pritje të masave më të ashpra. Nuk dihet nëse zona të tjera të Koresë së Veriut kanë vendosur kufizime të reja.

Koreja e Veriut fillimisht e “njohi” epideminë COVID-19 në vitin 2022, por deri në gusht kishte shpallur fitoren ndaj virusit.

Regjimi sekret nuk ka konfirmuar asnjëherë se sa njerëz janë infektuar me coronavirus, me sa duket për shkak të mungesës së fondeve për të kryer testime në masë të gjerë.

Në vend të kësaj, ata raportuan numrin ditor të pacientëve me ethe, i cili u rrit në 4.77 milionë në një popullsi prej rreth 25 milionë.

Por nuk ka raportuar raste të tilla që nga 29 korriku. Media shtetërore vazhdoi të raportonte për masat antipandemike për të luftuar sëmundjet respiratore, përfshirë gripin.

Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA tha se qyteti i Kaesong, pranë kufirit me Korenë e Jugut, kishte intensifikuar fushatat e komunikimit publik “në mënyrë që të gjithë njerëzit që punojnë të respektojnë rregulloret anti-epidemike”. /Telegrafi/