Site icon Telegrafi

Kryeministrja e Zelandës së Re shprehet e hapur për t’i ndihmuar Bidenit në menaxhimin e pandemisë në SHBA

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, tha të hënën se i ofroi ndihmë presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden, për ta luftuar shpërthimin e shfrenuar të coronavirusit në SHBA.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, gjatë bisedimeve të para midis të dyja palëve që kur Biden fitoi zgjedhjet në SHBA, Ardern tha se e njëjta i ofroi atij qasje tek zyrtarët më të lartë të shëndetësisë në Zelandë të Re.

“Unë i ofrova Bidenit si dhe ekipit të tij, qasje tek zyrtarët shëndetësorë në Zelandë të Re, në mënyrë që ata të ndajnë përvojën e tyre për gjërat që i kemi mësuar ne përgjatë rrugëtimit tonë”, tha Ardern.

Ndryshe, Zelanda e Re është konsideruar si një nga vendet më të suksesshme për sa i përket menaxhimit të situatës pandemike.

Vendi ka regjistruar deri më tani pak më shumë se 2,000 raste dhe 25 viktima; derisa për momentin ka vetëm 58 raste aktive.

Në anën tjetër, SHBA-ja po ballafaqohet me mbi 100 mijë raste në ditë nga coronavirusi, sakaq një ditë regjistroi afro 200 mijë sosh; numri i përgjithshëm i të prekurve u rrit në 12 milionë. /Telegrafi/

Exit mobile version