Telegrafi

Kryeministri i Pakistanit infektohet me COVID-19 dy ditë pasi mori vaksinën kineze ‘Sinopharm’

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan rezultoi pozitiv me COVID-19, tha zyra e tij, vetëm dy ditë pasi ishte vaksinuar kundër sëmundjes.

“Në këtë pikë, Zyra mund ta konfirmojë vetëm që kryeministri ka rezultuar pozitiv me coronavirus dhe është vetë-izoluar”, tha zyra e tij të shtunën.

Sipas Al Jazeera, përcjell Telegrafi, Khan, 68-vjeç, u vaksinua të enjten me vaksinën e prodhuar kineze “Sinopharm”, derisa vendi lufton me valën e tretë të pandemisë.

Khan ka mbajtur kohëve të fundit takime të rregullta dhe të shpeshta, përfshirë pjesëmarrjen në një konferencë sigurie të mbajtur në kryeqytetin, Islamabad, ku morën pjesë një numër i madh njerëzish.

Vendi i Azisë jugore prej 220 milionë banorësh po sheh një rritje të mprehtë të infeksioneve me coronavirus. /Telegrafi/