Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis tha sot se vendi i tij është i gatshëm t’i shtrijë dorën e miqësisë Turqisë.
Përveç kësaj, ai akuzoi presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan për inkurajimin e ndjenjave anti-greke në Turqi.
Mitsotakis, pas një takimi me kancelarin gjerman, Olaf Scholz në Athinë, tha se ka dëshirë që Turqia të zgjedhë “rrugën e deeskalimit, ligjshmërisë, bashkëjetesës paqësore pa shpërthime retorike, por me veprime konstruktive”,.
Ai theksoi se do të jetë gjithmonë i gatshëm të “zgjatë dorën e miqësisë”, raporton ekathimerini.
Mitsotakis tha se nuk ka vend për burime të tjera të panevojshme tensioni dhe se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore.
“Kjo është ajo që dëshiron populli ynë, kjo është ajo që do populli grek, kjo është ajo që populli turk, kjo është ajo që dëshiron e gjithë Evropa,” tha Mitsotakis.
Mitsotakis vlerësoi se është për të ardhur keq që, siç pretendon ai, presidenti turk “nuk e sheh se po shkon drejt një rruge qorre teksa po helmon popullin me gënjeshtra kundër Greqisë”.
“Sepse fqinjët tanë dhe të gjithë aleatët tanë e dinë se ishujt grekë nuk janë kërcënim për askënd”, tha Mitsotakis.
Greqia dhe Turqia janë në mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, duke përfshirë kufijtë detarë në Detin Egje dhe Mesdheun lindor, duke prekur të drejtat për eksplorimin e energjisë.
Turqia ka kritikuar Greqinë për praninë e saj ushtarake në ishujt lindorë grekë, duke pretenduar se ajo shkel traktatet ndërkombëtare, ndërsa Athina ka thënë se përballet me një kërcënim të drejtpërdrejtë nga Ankaraja, ushtria e së cilës është e pranishme në bregdetin turk përballë ishujve. /Telegrafi/