Një nga aksidentet më të rënda hekurudhore të Greqisë, që ia mori jetën të paktën 43 personave, u shkaktua nga “gabimi tragjik njerëzor”, tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
Mitsotakis është deklaruar pasi vizitoi vendin ku kishte ndodhur përplasja e dy trenave gjatë të martës mbrëma, transmeton Telegrafi.
Kreu i stacionit hekurudhor u akuzua për vrasje nga pakujdesia, kurse ministri grek i Transportit dha dorëheqje mbrëmë.
Aksidenti ka ndodhur të martën pak para mesnatës. Një tren pasagjerësh që transportonte rreth 350 persona u përplas me një tren mallrash, teksa doli nga tuneli pasi u largua nga qyteti i Larisës. Ende nuk është e qartë pse dy trenat përfunduan në të njëjtën linjë.
Shefi i stacionit, i cili është përgjegjës për sinjalistikën, mohon fajin dhe ‘fajëson’ për aksidentin një dështim të mundshëm teknik.
Pasi vizitoi vendin ku ndodhi aksidenti hekurudhor, Mitsotakis tha se gjithçka tregon për një “gabim tragjik njerëzor”.
“Gjykata do të bëjë punën e saj”, tha ai në një fjalim të transmetuar në televizione, ku sipas tij populli do të përgjigjet dhe shteti do të jetë në anën e popullit.
Duke njoftuar dorëheqjen e tij, ministri i Transportit, Kostas Karamanlis tha: “Kur ndodh diçka kaq tragjike, është e pamundur të vazhdohet dhe të pretendohet se nuk ka ndodhur”.
Sindikatat thonë se përplasjet janë shumëfaktorale dhe se përplasja theksoi mangësitë kronike, duke përfshirë mungesën e personelit, sinjalet e prishura dhe objektet e vjetruara. /Telegrafi/