Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, ka reaguar pas deklaratës së presidentit amerikan, Joe Biden, i cili deklaroi të shtunën se masakra ndaj armenëve nga Perandoria Osmane ishte një gjenocid.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, Pashinyan potencoi se fjalët e Biden kishin “nderuar kujtimin” e atyre që kishin vdekur.
“SHBA-ja e ka demonstruar edhe një herë angazhimin e saj të palëkundur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe vlerat universale”, shkroi kryeministri armen në Twitter.
Presidenti Biden të shtunën u bë Presidenti i parë i SHBA-së që njohu zyrtarisht masakrën ndaj armenëve nën Perandorinë Osmane si një gjenocid.
It is an important day for all Armenians. Following the resolutions adopted by US Congress in 2019, President Biden honored the memory of victims of the Armenian Genocide. The US has once again demonstrated its unwavering commitment to protecting human rights and universal values
— Nikol Pashinyan (@NikolPashinyan) April 24, 2021
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe ministria e punëve të jashtme në Turqi e cila theksoi se kjo deklaratë e Presidentit të SHBA-së nuk do të pranohet kurrë në ndërgjegjen e popullit turk.
“Kjo deklaratë e SHBA-së e cila shtrembëron faktet historike, nuk do të pranohet kurrë në ndërgjegjen e popullit turk, dhe do të hapë një plagë të thellë që minon besimin dhe miqësinë tonë të ndërsjellë”, thuhet mes tjerash në reagimin e Turqisë.
Armenia thotë se 1.5 milion njerëz u vranë në vitin 1915-1916, duke iu referuar masakrës si gjenocid. /Telegrafi/