Para disa ditëve, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka nënshkruar marrëveshje mbi ofrimin e shërbimeve të ujit me tri komunat veriore, me Komunën e Mitrovicës Veriore, Zveçanit dhe Zubin Potokut.
Kjo marrëveshje është nënshkruar sot edhe me Komunën e Leposaviqit, kështu ka njoftuar KRU “Mitrovica”, shkruan Telegrafi.
“Duke u nisur nga fakti se ‘Uji është jetë’ dhe pasur parasysh se çdo qenie njerëzore ka të drejtë të ketë qasje të barabartë në ujë të pijes, sot, Kompania Rajonale Ujësjellësi ‘Mitrovica’ në Mitrovicë dhe Kryetari i Komunës së Leposaviqit z. Lulzim Hetemi nënshkruan marrëveshjen për ofrimin e shërbimimeve të Ujësjellesit”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ka të bëjë me cilësinë e ujit që ofrohet, sasinë e ujit dhe shërbimin 24/7 dhe faturimin, inkasimin e investimet në rrjet.
“KRU ‘Mitrovica’ Sh.A. është ndërmarrje publike dhe misioni i saj ka qenë, është dhe do të jetë shërbimi i qytetarëve/konsumatorëve të saj pa dallim dhe pa diskriminim. Prandaj, nga sot e tutje të katër komunat veriore: Mitrovice Veriore, Zvecan, Zubin Potok dhe Leposaviq janë pjesë e zonës së shërbimit të Kompanisë Rajonale ‘Mitrovica’ në Mitrovicë”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/