Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar qytetarët e Prizrenit dhe të Dragashit se si pasojë e reshjeve të dendura dhe turbullirave uji aktualisht nuk është i sigurt për përdorim.
“Ju njoftojmë se për shkak të reshjeve të dendura të shiut, kemi hasur në rritje të ndjeshme të turbullirës në Njësinë në Dragash dhe në burimin kryesor ’40 Burimet’ që furnizon qytetin e Prizrenit me ujë të pijshëm. Kjo situatë ka shkaktuar probleme serioze në cilësinë dhe sasinë e ujit të disponueshëm”.
Prandaj duke u bazuar nga gjendja e krijuar KRU “Hidrorgjioni Jugor”, njofton se do të ketë rënie të sasive të ujit të furnizuar, transmeton Telegrafi.
“Uji aktualisht nuk është i sigurt për konsumim. Uji mund të përdoret për konsumim vetëm pas një njoftimi të dytë zyrtar nga ana e kompanisë”, thuhet në njoftim.
Kjo kompani ka theksuar se është duke punuar për të normalizuar situatën në afatin sa më të shkurtër kohor dhe se qytetarët do të njoftohen me kohë lidhur me zhvillimet e reja në këtë aspekt.