Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar se pas ankesave të shumta të qytetarëve të rajonit të Hasit për mungesë të ujit, bashkë me ekipin komunal është identifikuar impakti direkt i punimeve të kontraktuara nga Komuna e Prizrenit në pellgun ujëmbledhës të burimeve të Sozit në Nashec.
Në njoftimin e “Hidroregjionit Jugor” thuhet se ekipi i terrenit ka konstatuar rënie drastike të nivelit të ujit në kaptazhë dhe se rrjedhimisht nuk ka pasur ujë të mjaftueshëm për të pompuar në rezervuar.
“Me qëllim të konstatimit të gjendjes faktike kemi kontaktuar organet kompetente komunale dhe bashkërisht kemi dalë në vend të ngjarjes. Sipas gjendjes faktike në teren, dyshohet që punimet që janë duke u zhvilluar për rregullimin e shtratit të lumit, i cili ndodhet në afërsi të burimit, kanë pasur impakt direkt në pellgun ujëmbledhës të burimeve të Sozit”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Në të njëjtën kohë është sqaruar se Komuna në bashkëpunim me operatorin ekonomik kanë marrë obligim që të fillojnë punimet për sanimin e problemit.
U.d. kryeshefi ekzekutiv i KRU “Hidroregjioni Jugor”, Fadil Berisha për Telegrafin ka konfirmuar rastin, duke shtuar se furnizimi me ujë për Hasin do të ketë vështirësi por se nuk do të ndalet në tërësi.
“Po shpresojmë shumë që rehabilitimi do të përfundojë sa më shpejtë, duke marrë parasysh edhe faktin se Komuna e ka marrë përsipër”, ka thënë Berisha. /Telegrafi/