Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” ka publikuar raportin e saj për periudhën 2023-2024, duke përfshirë investime të rëndësishme në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit në komunat Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.
Sipas tyre në këtë periudhë është shënuar një rritje prej 20% në të ardhura nga inkasimi, pavarësisht eliminimit të pagesave cash.
Po ashtu, është realizuar një rritje kolektive e pagave për punëtorët prej 26.3%, për herë të parë pas më shumë se një dekade.
Një tjetër arritje madhore është akreditimi i laboratorit kimik dhe mikrobiologjik nga DAK, që garanton cilësinë e ujit.
Ndër investimet më të rëndësishme përmenden ndërrimi i gypave të asbestit në Pejë me një investim prej 4.5 milionë euro, ndërtimi i objektit të fundrruesit në Klinë me një vlerë prej 850 mijë euro dhe shtrirja e rrjetit të kanalizimit me 500 kilometra të reja në të gjithë zonën e mbulueshmërisë.
Kompania gjithashtu ka pajisur konsumatorët me 5 mijë ujëmatës të rinj për përmirësimin e kontrollit dhe raportimit të konsumit të ujit.
KRU “Hidrodrini” mbetet e përkushtuar në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve dhe fton qytetarët të përmbushin detyrimet e tyre financiare për të mundësuar vazhdimin e investimeve dhe garantimin e shërbimeve cilësore. /Telegrafi/