Telegrafi

KRU “Hidrodrini” paralajmëron konsumatorët e Vrellës së Istogut: Uji mos të përdoret për pije

Foto nga Hidrodrini, Facebook

KRU “Hidrodrini”, ka paralajmëruar konsumatorët e lagjes Maraj, me lokacion në rrugën “Lugu i Madh” në Vrellë të Istogut, që ujin mos e përdorin për pije.

Ky paralajmërim është lëshuar pas shqetësimit të ngritur nga familja Maraj, e cila gjatë mbrëmjes së 20 Gushtit ka vërejtur shenja të ndotjes së ujit.

Në përgjigje të kësaj, ekipet e specialistëve të KRU ‘Hidrodrini’ nga Njësia Operative në Istog, së bashku me specialistët e Laboratorit dhe inspektorët rajonalë, kanë dalë në terren për të marrë mostrat e ujit.

Për analizat janë përfshirë edhe inspektorët e Komunës.

KRU “Hidrodrini” ka bërë të ditur përmes rrjetit social Facebook se mostrat e ujit të marra më 27 Gusht dhe 02 Shtator 2024 kanë rezultuar me ndotje bakterologjike, ndërsa analizat fiziko-kimike janë sipas standardeve të duhur të ujit të pijes.

“Rezultatet laboratorike finale të mostrave të mara me 27 Gusht dhe më 02 Shtator 2024, për çfarë komuniteti është mbajtur i informuar edhe verbalisht, kanë rezultuar bakterologjikisht të kontaminuar, ndërsa analizat fiziko-kimike kanë rezultuar sipas standardeve të duhura të ujit të pijes. Mostrat përsëriten sot më datë 06 Shtator 2024, ndërsa rezultatet e tyre publikohen më 9 shtator 2024”, kanë shkruar ndër të tjera ata, transmeton Telegrafi.

Për shkak të kontaminimit të vërtetuar bakteriologjik, konsumatorët e lagjes Maraj ftohen të vazhdojnë të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës.