Site icon Telegrafi

KRU “Hidrodrini” ndërpret punimet në fshatrat e Istogut, shkak kushtet atmosferike

Për shkak të kushteve të pafavorshme të motit, KRU “Hidrodrini” ka njoftuar se punimet e planifikuara për sot në fshatrat e Istogut do të ndërpriten dhe do të shtyhen për nesër.

Ekipet e KRU “Hidrodrini” në Istog kanë bërë të ditur se për të kryer punimet e nevojshme në gypin DN315AC që lidh Istogun me Gurrakocin dhe për të realizuar kalimin nga gypi i asbestit në gyp polietilen, nesër do të ndalojë furnizimi me ujë për konsumatorët e fshatrave Muzhevinë, Tomoc, Gurrakoc dhe pjesërisht Prekallë.

KRU “Hidrodrini” përmes rrjetit social Facebook kanë njoftuar për ndërprerjen e punimeve duke informuar se ato do të vazhdojnë nesër.

“Për shkak të kushteve të pafavorshme të motit, reduktimi dhe ndërhyrja e paraparë për sot, shtyhet për nesër”, kanë shkruar KRU “Hidrodrini”.

Ndërprerja e ujit sipas KRU “Hidrodrini”, do të nisë nga ora 09:00 dhe do të zgjasë deri në ora 15:00.

Ata gjithashtu kanë kërkuar mirëkuptimin e banorëve për këtë ndërprerje të përkohshme dhe se do të bëjnë gjithçka për të minimizuar çdo pengesë sa më shumë.

Exit mobile version