Kompania Rajonale e Ujësjellësit për rajonin e Pejës “Hidrodrini”, ka njoftuar qytetarët e Istogut se për shkak të keqpërdorimeve dhe rënies së sasisë në burime janë të detyruar të rikthejnë reduktimet për ujin e pijes në këtë qytet.
Në këtë gjendje alarmante kanë ndikuar edhe temperaturat e larta te cilat po mbretërojnë në Kosovë, transmeton Telegrafi.
KRU “Hidrodrini” nëpërmjet një postimi në Facebook, ka vënë në dijeni qytetarët se inspektorati është duke vëzhguar sipas tyre situatën në lidhje me keqpërdorimet.
Në njoftimin e tyre ata kanë thënë se reduktimet do të fillojnë nga dita e nesërme.
“Si pasojë e rënies së sasisë në burime, keqpërdorimeve të shumta të ujit për pije (të cilat po ndiqen pandërperë nga ana e Inspektorëve) dhe rritjes së kërkesës për ujë, shkaku i ngritjes së temperaturave, njoftojmë konsumatorët e Istogut, se nga data 20.07.2024, do të fillohet me reduktimet e ujit për pije në disa zona”, njofton Hidrodrini.
Vendet të cilat do të kenë reduktime janë rrethina e Banjës prej orës 09:30 deri 15:30, duke vazhduar me fshatin Studenicë prej orës 09:00 deri në orën 15:00 dhe Saradrani nga 10:00 deri në orën 16:00 të pasdites. /Telegrafi/