Me ardhjen e stinës së verës dhe për shkak të thatësisë që mund të mbizotërojë në disa zona kërkohet kujdes i shtuar për përdorimin e ujit të pijes.
E kujdes të shtuar për ujin e pijes ka kërkuar edhe KRU “Gjakova”, e cila së fundmi në kontrollet që i kryer ka hasur në një lidhje ku është përzier uji i ujitjes me atë të pijes në fshatin Xërxe, të komunës së Rahovecit.
Në një deklaratë për Telegrafin, nga KRU “Gjakova” kanë thënë që në momentin e evidentimit të këtij rasti, ekipet e kësaj kompanie kanë reaguar menjëherë.
“Siç edhe jeni informuar nga kanalet tona zyrtare, ekipet e kontrollit së KRU ‘Gjakova’ kanë hasur në një lidhje ku është përzier uji i ujitjes me atë të pijes në lagjen Kabashi dhe Gashi, fshati Xërxe në komunën e Rahovecit. Persona të pandërgjegjshëm kanë ndërhyrë në rrjetin e ujësjellësit me ç’rast ka ardhur deri tek përzierja e ujit të pijes me atë të ujitjes. Ekipet tona kanë reaguar menjëherë duke e izoluar rastin”, kanë deklaruar nga KRU “Gjakova”, raporton Telegrafi.
Nga kjo kompani po ashtu kanë potencuar që, një rast i ngjashëm i përzierjes së ujit të pijes me atë të ujitjes ishte vënë re në vitin 2019, në po të njëjtin fshat.
“Kohëve të fundit nuk kemi pasur raste të tilla, por një rast i ngjashëm ka ndodhur në vitin 2019 po në të njëjtin fshat, meqenëse posedojnë toka bujqësore dhe përdoret më shumë sistemi i ujitjes. Vlen të theksohet se KRU “Gjakova” është përgjegjëse për ujin e pijes duke vepruar e ndarë nga Kompania Rajonale ‘Radoniqi’ e cila është përgjegjëse për ujin e ujitjes”, kanë bërë të ditur nga KRU “Gjakova”.
Duke marrë parasysh rëndësinë e ujit të pijes, nga kjo kompani kanë bërë apel që të mos ndërhyhet në rrjetin e ujësjellësit.
“K.R.U. ‘Gjakova’ SH.A, apelon tek të gjithë konsumatorët që të mos ndërhyjnë në mënyrë të paautorizuar në Rrjetin e Ujësjellësit, një veprim i tillë është vepër penale e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Me synim të mbrojtjes së Rrjetit të Ujësjellësit paralajmërojmë të gjithë qytetarët se ndaj personave të cilët nuk respektojnë këto ndalesa dhe hasim në veprime të tilla do të pasojnë dënimet e parapara sipas akteve ligjore dhe do të iniciohet kallëzim penal”, kanë deklaruar ndër të tjera nga kjo kompani./Telegrafi.com/