Mesfushori i Real Madridit dhe Kombëtares së Gjermanisë, Toni Kroos, e ka komentuar largimin e Mesut Ozil dhe deklaratën e tij të pensionit.
Sipas Kroos, akuzat e Ozil për racizmin janë “të pakuptimta”.
“Mesut ishte një lojtar i çmuar i kombëtares dhe meritonte një lamtumirë më të mirë. Kam luajtur me Mesutin për vite me radhë dhe e di se ai është një djalë i mirë, por mënyra se si ka thënë lamtumirë nuk është në rregull”.
“Një pjesë e deklaratës së tij është e saktë, por në shumë pjesë të saj ka thënë gjëra të pakuptimta”.
“Mendoj se ai e di se nuk ka racizëm brenda ekipit kombëtar dhe brenda DFB-së (federatës), përkundrazi, ne jemi gjithnjë shumë të përkushtuar ndaj diversitetit dhe integrimit”.
“Mesut ishte një shembull i mirë për këtë, siç ishin shumë lojtarë të tjerë”.
Për fotografinë e Ozil me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, Kroos po ashtu ka disa fjalë.
“Ai u kritikua me të drejtë, por iu dha mundësia që ai t’i shpjegojë motivet e tij. Pavarësisht nga të gjitha këto, e kishte mbështetjen e grupit dhe ekipit. Ai si të gjithë ne të tjerët, u kritikua për performancën e tij gjatë Kampionatit Botëror”.
“Mënyra se si u shpreh kjo kritikë nuk ishte e mirë, por kjo është diçka që duhet të kalosh si futbollist”, ka thënë Kroos për BILD. /Telegrafi/