Site icon Telegrafi

Kroacia tregon forcën ndaj Nigerisë, e nis botërorin me fitore

Kroacia (Getty Images)

Kombëtarja e Kroacisë ka fituar ndaj asaj të Nigerisë me rezultat 2-0 në ndeshjen e vlefshme për Grupin D në Kupën e Botës “Rusia 2018”.

Për dallim nga Argjentina, e cila barazoi 1-1 ndaj Islandës, Kroacia e nisi botërorin me fitore ndaj Nigerisë.

Djelmoshat e trajnerit Zlatko Dalic e filluan mirë ndeshjen duke rrezikuar në minutën e 14-të me anë të Mario Mandzukic, por pa arritur ta gjejnë rrjetën.

Megjithatë, goli erdhi në minutën e 32-të të ndeshjes, ku pas një topi te asistuar me kokë nga Mandzukic, ishte Andrej Kramaric, i cili goditi drejt portës dhe nga topi i devijuar nga Oghenekaro Etebo topi përfundoi në rrjetë për 1-0.

Festa e kroatëve pas golit të parë (Getty Images)

Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të kombëtares ballkanase, e cila pati raste më të mira dhe gjeti edhe golin e dytë dhe të qetësisë.

Luhej minuta e 71-të e ndeshjes kur Luka Modric shënoi nga penalltia për 2-0 pasi më parë u pengua në zonë Mandzukic.

Kapiteni Modric u tregua i saktë nga pika e bardhë (Getty Images)

Deri në fund të ndeshjes pati edhe disa raste të tjera nga të dyja kombëtaren, por pa arritur t’i ndryshojnë shifrat dhe në fund fitoi Kroacia me rezultat 2-0.

Pas kësaj fitore, Kroacia merr kryesimin e grupit me 3 pikë, ndërsa pas saj vijnë Argjentina dhe Islanda me nga një. Në ndeshjen e radhës luajnë ndaj Argjentinës. /Telegrafi/

 

Exit mobile version