Site icon Telegrafi

Kroacia largon lojtarin e njohur nga Kombëtarja

Mbrojtësi i Liverpoolit, Dejan Lovren, është përjashtuar nga kombëtarja kroate, për shkak se i ka thënë trajnerit që të mos e grumbullojë fare për Euro 2016, nëse nuk i garanton një vend startues.

Në miqësoren e fundit, barazuar kundër Hungarisë, trajneri Ante Cacic e kritikoi publikisht Lovrenin, për shkak se nuk pranoi të qenit zëvendësues në atë takim, ndaj të dy patën një grindje të ashpër pas ndeshjes.

Që atëherë, Lovren ka paralajmëruar se nëse nuk trajtohet si titullar, më mirë të mos grumbullohet fare, fjalë që nuk i kanë pëlqyer trajnerit Cacic, i cili tashmë ka vendosur: sa të jetë ai në krye të Kroacisë, Lovren nuk do ta veshë më fanellën kombëtare.

Lovren ka dhënë këtë version të ngjarjeve. “Trajneri atletik më tha të bëja nxehje dhe për 10-15 minuta e bëra, por ishte ftohtë dhe e pashë që nuk do të luaja, ndaj u ktheva në stol. I shpjegova trajnerit atletik se nxehja aq zgjat kudo, edhe te Liverpooli pas 15 minutash nxehje ose luaj, ose kthehem në stol”.

“Trajneri Cacic më tha para ndeshjes me Hungarinë se do të luaja 45 minutat e dyta, por më gënjeu, ndërsa Srna luajti, edhe pse i kishte thënë dy orë para ndeshjes trajnerit se nuk ishte mirë fizikisht”.

Exit mobile version