Telegrafi

Kroacia fiton dramën e penalltive ndaj Rusisë, kalon në gjysmëfinale të Botërorit

Kroacia (Getty Images)

Kombëtarja e Kroacisë ka arritur të fitojë pas penalltive ndaj Rusisë me rezultat 4-3 në ndeshjen çerekfinale, pasi ndeshja pas 120 minutave përfundoi me rezultat 2-2 dhe kështu arrin të kualifikohet në gjysmëfinale të Kampionatit Botërorit, ku do të takohet me Anglinë.

Pjesa e parë e ndeshjes i takoi kroatëve, të cilët diktuan ndeshjen, por që të dy kombëtaret arritën të gjejnë nga një herë golin.

Megjithatë, të parët që shënuan ishin rusët, pasi në minutën e 31-të të ndeshjes ishte Denis Cheryshev, i cili shënoi një supergol nga distanca për 1-0.

Cheryshev shënoi një gol të bukur (Getty Images)

Epërsia e rusëve zgjati vetëm tetë minuta pasi Kroaci arriti të barazoj me anë të Andrej Kramaric, që shënoi me kokë për 1-1 pas asistimit të Mario Mandzukic.

Festa e Kramaric pas golit të barazimit (Getty Images)

Në pjesën e dytë, përsëri ishin ballkanasit që patën diçka më shumë nga loja dhe rrezikuan disa herë për të gjetur golin e epërsinë.

Rasti më i mirë në këtë 45 minuta i takoi anësorit sulmues, Ivan Perisic (60′), por ishte shumë i pafat pasi nga afërsia goditi vetëm shtyllën.

Perisic goditi shtyllën (Getty Images)

Deri në fund, kroatët u munduan ende të gjejnë golin e fitores, por pa pasur sukses dhe ndeshja e rregullt përfundoi me barazim 1-1 dhe ndeshja shkuan në vazhdime.

Në vazhdimin e parë vazhdoi dominimi i kroatëve, të cilët gjetën golin e epërsisë pas vetëm gjashtë minutave me anë të Domagoj Vida (101′), i cili shënoi me kokë për 1-2.

Nuk mjaftoi goli i Vidas (Getty Images)

Në vazhdimin e dytë, Rusia u mundua të gjej golin e barazimit dhe atë e gjeti në minutën e 115-të me anë të mbrojtësit Mario Fernandes që barazoi rezultat 2-2 me një gol me kokë pas ndërprerjes dhe ndeshja shkoi në penallti.

Momenti i golit me kokë nga Fernandes (Getty Images)

Në ekzekutimin e penalltisë kroatët ishin më të saktë duke arritur të fitojnë me rezultat 4-3 dhe të kalojnë në gjysmëfinale.

Pas kësaj fitore, Kroacia kalon në gjysmëfinale të Kupës së Botës, ku do të takohet me Anglinë, që mposhti Suedinë me rezultat 2-0. /Telegrafi/