Banka Botërore ka publikuar gjatë ditës së djeshme një studim mbi klimën e biznesit në rajon. Raporti i “Të bësh Biznes në Evropën Juglindore 2008” mbulon 22 qytete, në 7 ekonomi: Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Mal të Zi dhe Serbi. Për herë të parë, “Të Bësh Biznes” kalon përtej qyteteve më të populluara, për të krahasuar qytetet brenda të njëjtës ekonomi dhe qytetet e rajonit. Ai përqendrohet në katër drejtime të rregulloreve, të cilat varen nga legjislacioni vendas dhe zbatimi i tij: fillimi i një biznesi, marrja e licencës, regjistrimi i pasurisë dhe zbatimi i kontratave.
Raporti thekson se, përderisa disa ekonomi kanë arritur një progres të dukshëm në përmirësimin e klimës së biznesit në nivel kombëtar – Kroacia dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë renditen ndër 10 vendet e para përsa i përket reformave në nivel global vitin e kaluar – ka ende hapësira ku mund të zgjerohen reformat në nivel lokal. “Ky raport paraqet të dhëna në nivel qyteti, të cilat mund të frymëzojnë reforma në nivel kombëtar dhe lokal dhe të fuqizojë reformat në rajon”,- shprehet Jane Armitage, Drejtoreshë në Bankën Botërore. Bitola (Manastiri) në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë është në krye të renditjes së qyteteve të vlerësuara nga ky raport. “Ne jemi të kënaqur që ky qytet është zbatuesi më i mire”,- shprehet Patricia Rader, Drejtoreshë e Misionit të Agjencisë Amerikane për Zhvillimi Ndërkombëtar (USAID) në Shkup.
Qyteti i Vlorës vlerësohet nga ana e ekspertëve të Bankës Botërore, në listën e 25 qyteteve që kanë bërë reforma më të mëdha në botë në këtë drejtim. Në një renditje të mirë është vlerësuar edhe qyteti i Shkodrës. Sipas krahasimeve të bëra nga ana e Bankës Botërore, nëse Shkodra dhe Vlora do të përfaqësonin Shqipërinë midis 178 ekonomive atëherë renditja do të ishte shumë favorizuese. Një biznes do mesatarisht 6 procedura në qytetet e Vlorës dhe Shkodrës për t’u regjistruar. Me këto të dhëna, këto qytete renditen në vend të 24, ndër 178 ekonomi. Edhe përsa i përket ditëve për të hapur një biznes, në këto dy qytete, sipas BB nuk duhen më shumë se 7 ditë, duke u renditur të 12-ët në raportin e BB.
Ky raport nxjerr në pas edhe njëherë diferencat e mëdha që kanë qytetet midis njëri-tjetrit, në krahasim edhe renditjen si ekonomi në tërësi. Shqipëria u rendit ndër vendet e fundit në raportin e të bërit biznes në nivel kombëtar për vitin 2008, publikim ky i bërë nga ana e Bankës Botërore. Raporti më i fundit i BB është realizuar nën drejtimin e FIAS, një shërbim këshillimor për klimën e investimeve i Grupit të Bankës Botërore. Ky raport është realizuar me mbështetjen financiare të IFC-së (Korporata Financiare Ndërkombëtare), Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, dhe Sekretariatit të Shtetit për Çështjet Ekonomike, Zvicër (SECO). Ajo bazohet në përpjekjet e më shumë se 224 juristëve, kontabilistëve, kontraktuesve, inxhinierëve, specialistëve të pasurisë dhe zyrtarëve të pushtetit qendror dhe lokal. /Shekulli/