Me rezultat 1-1 ka përfunduar koha e rregullt e ndeshjes gjysmëfinale ndërmjet Kroacisë dhe Anglisë, ashtu që sfida ka shkuar në vazhdime.
Rezultati i kësaj sfide u zhbllokua shumë herët. Që në minutat e para u bë një ndërhyrje në afërsi të zonës së kroatëve dhe u akordua gjuajtje e lirë për anglezët.
Përgjegjësinë e mori Kieran Trippier, i cili u tregua fantastik për ta mposhtur Danijel Subasicin (5′).
Minutat e para të ndeshjes u takuan Tre Luanëve, të cilët ishin shumë të rrezikshëm. Me lojën e tyre të shpejtë dhe dinamike, anglezët arrinin shumë shpejtë në zonën kundërshtare.
Ndërkohë që kroatët e kishin të vështirë ta zhvillonin lojën e tyre në gjysmën e parë të kësaj gjysmëfinaleje.
Tjetër lojë zhvilloi skuadra ballkanike në gjysmën e dytë. Ata luanin me posedim të topit dhe krijim të aksioneve duke rrezikuar vazhdimisht portën kundërshtare.
Dhe pas një aksioni të organizuar mirë, Sime Vrsaljko harkoi në zonë, ndërsa Ivan Perisic shënoi me kokë (68′).
Menjëherë pas, Kroacia e pati një tjetër rast fantastik për të kaluar në epërsi, mirëpo nuk u shfrytëzua. Ishte pikërisht një lëvizje e mrekullueshme nga Perisic, mirëpo topi e goditi vetëm shtyllën.
Të dyja skuadrat ishin të rrezikshme në minutat në vazhdim të lojës, por më afër golit ishin kroatët. Sidoqoftë, koha e rregullt përfundoi me rezultat të barabartë dhe ndeshja shkoi në vazhdime. /Telegrafi/