Kompania për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj nëpërmjet një njoftimi ka kërkuar nga qytetarët t’i shlyejnë borxhet për të pasur shërbime edhe më të mira. Kujtojmë, se kjo kompani gjatë viteve të fundit ka bërë investime mjaftë të mëdha në makineri, rritje të pagave, rritje të shujtave për punëtorë, ndërtimin e objektit të ri, pastaj ka zvogëluar shpenzimet dhe ka rritur të hyrat.
Mirëpo për të vazhduar me shërbime sa më cilësore, kompania ka kërkuar që faturat për mbeturina të paguhen me kohë në mënyrë që lëndët mos të dërgohen te përmbaruesi.
“Ju njoftojmë se për të gjithë klientët që kanë borxhe të papaguara ndaj KRM Pastërtia Sh.A., shërbimi i mbeturinave nuk do të kryhet deri në shlyerjen e detyrimeve financiare. Pagesat mund t’i kryeni pranë arkave tona ose përmes inkasantëve tanë në terren. Gjithashtu, ju informojmë se ndaj klientëve me borxhe që nuk i shlyejnë detyrimet në afat të arsyeshëm, do të ndërmerren masa ligjore dhe procedura përmbarimore për mbledhjen e borxhit. Për të shmangur këto pasoja, ju lutemi të kryeni pagesat sa më parë”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
KRM “Pastërtia”kërkon mirëkuptimin lidhur me këtë njoftim./Telegrafi/