Site icon Telegrafi

Krasniqi, Rizvanollit: Subvencionimin e energjisë për qytetarët e keni pasur transfer për KESCO-n dhe KEDS-in

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pyetur ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, lidhur me profitin e KEDS-it dhe KESCO-s gjatë periudhës trevjeçare të qeverisjes Kurti.

Sipas Krasniqit, fitimi i këtyre dy kompanive është miliona euro përmes faturave të fryra të energjisë eklektike që po i paguajnë qytetarët.

Këto deklarata ai i ka bërë në seancën e Kuvendit të enjten, ku po shqyrtohet propozim-rezoluta në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët, transmeton Telegrafi.

“Po ju drejtohem zonjës ministre me një pyetje të thjeshtë: Gjatë kohës sa ju jeni në pushtet, a mundeni me na tregu se sa janë rritur të hyrat dhe sa është rritur profiti i KEDS-it dhe KESCO-s? Nëse kaq mirë ju keni dalë në ndihmë njerëzve, sa është fitimi i KESCO-s sot në krahasim me kohën kur kanë qenë në pushtet qeveritë e kaluara?”, ka pyetur kreu i PDK-së.

Duke iu drejtuar ministres, Krasniqi ka thënë se është e vërtetë që Qeveria Kurti i ka subvencionuar qytetarët, por “ju realisht subvencionimin e keni pasur transfer për KESCO-n dhe KEDS-in”.

“Ju iu keni dhënë pare KESCO-s dhe KEDS-it përmes qytetarëve të Republikës së Kosovës. Jo vetëm përmes subvencionimit të energjisë, por edhe përmes subvencionimit të atyre 100 eurove të famshme”, është shprehur ai.

“Ju ua keni dhënë nga 100 euro pensionistëve, studentëve e fëmijëve e pas dy ditëve ua keni marrë përmes faturave të energjisë. Bile nuk iu kanë dalë.  I keni përdorur qytetarët dhe familjet kosovare si urë për me i transferu paratë te KEDS dhe KESCO. Tregoni se sa është rritur fitimi i tyre sepse është me dhjetëra miliona euro”, ka shtuar Krasniqi. /Telegrafi/

Exit mobile version