Telegrafi

Krasniqi: Fitore për të synuar titullin Kampion Bote

Luan, të gjithë flasin për një rikthim. A është ky një rikthim për ju, apo keni menduar ta përfundoni karrierën?

Jo, absolutisht jo. Personalisht e kam pasur të qartë që doja të boksoja sërish. Madje, ishin përcaktuar dy sfida në muajt mars dhe maj, por ato nuk u anuluan prej meje.

Çfarë ju ka motivuar pas humbjes me Toni Tompson? Shansi për të luftuar përsëri për titullin Kampion Bote, apo thjesht ju kanë munguar ringu dhe atmosfera?

Humbja me Toni Tompson ishte katastrofike dhe nuk më hiqet nga mendja. Atë zhgënjim nuk do t‘ia fal kurrë vetes dhe natyrisht dua të më krijohet sërish mundësia për të luftuar për titullin e Kampionit të Botës.

Vitali Klitçko ka fituar pas një pauze të gjatë. A do ta arrijë këtë edhe Luan Krasniqi?

Pas çdo ndeshje, veçanërisht pas çdo humbje, mëson shumë. Për këtë arsye ju siguroj se do të shihni një Luan tjetër nga ai i meçit të fundit. Të shtunën (sot), do të shohim nëse do të jem më i miri. Tifozët do të shohin Luanin e vërtetë dhe do të festojnë një fitore të madhe.

Kur e morët vendimin për të boksuar sërish?

Relativisht shpejt, por është e qartë se kam menduar për të gjatë gjithë kohës.

A jeni konsultuar me personat afër jush, apo është vendim tërësisht personal?

Natyrisht që kam biseduar me miqtë dhe familjen time dhe askush nuk më ka thënë "ndalu". Ndërsa vendimin, natyrisht, më është dashur ta marr vetë, sepse në ring jam i vetëm.

Prej sa kohësh përgatiteni dhe a jeni ushtruar në ndonjë program ndryshe nga herët e tjera?

Stërvitem pa pushim prej një viti. Mund të them se ishte përgatitja më e gjatë në jetën time, edhe sepse m‘u anuluan dy sfida.

Njiheni mirë me Dimitrenkon. A rrezikon të jetë një sfidë ku të dy do të rrezikoni pak, një duel monoton?

Kurrë nuk besoj se kjo përballje do të jetë bajate. Arsyeja është se të dy kemi shumë për të dhënë.

Do të kishit preferuar ndonjë kundërshtar tjetër?

Dimitrenko është një kundërshtar atraktiv, ai është i pari në renditjen e WBO-së. Nëse e mposht, ndoshta do të kem një rast tjetër për titullin e kampionit të botës. Për mua ky është një meç i mirë dhe llogaris fitore.

E shihni si shansin e fundit? Edhe në rast humbjeje, në moshën 38-vjeçare mund të boksoni të paktën edhe 2-3 vjet të tjera në nivele të larta?

Unë do të triumfoj për të fituar shansin të dueloj për titullin e kampionit të botës. /gazeta-shqiptare/