Telegrafi

Kosoweb: suksesi i marketingut – fokusimi në online

 Konferenca filloi me prezantimin e drejtoreshës së Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës – STIKK, Vjollca Çavolli e cila foli në lidhje me depërtimin e internetit në Kosovë, raport ky i bërë së fundi nga kjo shoqatë. Sipas këtij raporti, Kosova ka shënuar progres për sa i përket depërtimit të internetit me 72.1% duke u krahasuar me vendet e rajonit përfshirë këtu edhe Greqinë e Bullgarinë.

Gentian Lluka, drejtor ekzekutiv i portalit Telegrafi, shpalosi implementimin e platformave të fundit reklamuese nga telegrafi.com, platformë të cilat kanë dyfishuar shumën e të hyrave në këtë portal. Risi tjetër nga ky portal ishte gjithashtu dizajni i dedikuar telefonave mobil i cili pos tjerash hapë edhe një mundësi të re për reklamim dedikuar vetëm në këtë platformë. Zhvillimet e telegrafit kanë bërë që edhe më tutje të vazhdojë ta ruaj pozicionimin si portal më i lexuar shqiptar.

Kushtrim Xhakli ndërmarrës nga Kosova njëherit partner në kompaninë Changers, foli për rëndësinë e internetit në zhvillimin e një biznesi. Ai gjithashtu theksoi rolin e konsumatorit i cili nga një përvojë e mirë me produktin, falë rrjeteve sociale po kontribuon në marketing të atij produkti.

Në vazhdim, drejtori menaxhues nga HTTPOOL, Timotej Gala për të pranishmit ofroi disa statistika të përqendrimit të kampanjave të marketingut ku padyshim fokusi në internet printe në raport me mediet tjera tradicionale. Gala rekomandoi kompanitë që në planifikim të buxhetit për kampanja të marketingut, gjithsesi 10% e buxhetit të dedikohet për reklamim online.

Folësi kryesor i kësaj konference, Euan Semple shpalosi përvojat e veta në BBC, Nokia, Bankë Botërore e NATO. Semple foli për ndikimin dhe zhvillimin e rrjeteve sociale dhe ndikimin e tyre në biznes. Pavarësisht përmbajtjes së tyre, që sipas Semple 99% është e pavlefshme, ti prapë ke mundësi të zgjedhësh se kend ta ndjekësh. Semple e mbylli prezantimin duke theksuar se “nuk është mirë të jesh nga jashtë 2.0, kurse për së brenda nuk je madje as 1.0”

Pas një pauze për kafe, konferenca vazhdoi me ligjëruesin Marco Montemagno i cili për shkak të mungesës së tij, kishte përgatitur një video incizim për të gjithë të pranishmit. Ai përmendi 23 mjete të cilat duhet përdorur sot një biznes që të ketë zhvillim. Marco në pika të shkurta bëri përshkrimin e këtyre mjeteve dhe mënyrën se si të përdoren.

Në fund, të pranishmit u kyçen në diskutime të hapura me ligjëruesit përmes pyetjeve dhe përgjigjeve.